R. Hristova-Bejleri. Standarti gjuhësor në emisionet shqipt të Radio Bullgarisë.
Konferenca “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot”,
Tiranë, 11-12  Nëntor, 2002. [1]

 

            Emisioni shqip i Radio Bullgarisë (Radio Sofja deri në vitin 1993) është krijuar në korrik të vitit 1973, një vit pas Kongresit të Drejtshkrimit, dhe punonjësit e tij, kryesisht të huaj, që nga fillimi, kanë ndjekur zellshëm rregullat e gjuhës së njësuar letrare shqipe. Në trojet shqiptare gjuha letrare kombëtare nuk është e barabartë me mësimin e gjuhës në shkollë si lëndë mësimore, por duhet parë si pjesë themelore e kulturës qytetare. Për albanologët e huaj përvehtësimi sa më i plotë i normës letrare është qellim më vete, kurse përkthimi i mirë në gjuhën shqipe me të drejtë mund të quhet kurorëzim i procesit mësimor. Në këtë kuptim emisioni shqip i Radio Bullgarisë ka kontribuar për normëzimin e gjuhës shqipe, kurse problemet e standartit gjuhësor në të kanë të bëjnë me disa çështje të përkthimit nga bullgarishtja në shqip, si dhe me vështirësitë e fonetikës shqiptare për folësit bullgarë.

            I. Drejtshqiptimi

            Drejtshqiptimi është ndër çështjet kryesore të gjuhës në radio. Nga folësit kërkohet që të flasin qartë, me shqiptim të pastër e të pranueshëm  radiofonik, duke u mbështetur në stilin e plotë të shqiptimit letrar.

 

            1. Mbi zbatimin e parimit fonetik të drejtshqiptimit

            Parimi themelor i shqipes është ai fonetik - shqiptohet siç shkruhet. Krahas parimit fonetik vepron edhe parimi morfologjik, kur “zbatimi i veçuar i parimit fonetik do të çonte në errësimin a në prishjen e strukturës morfologjike a fjalëformuese te fjalëve” [2] . Kundërshtimi midis ketyre dy parimeve shfaqet në të shumtën e rasteve në mosshqiptimin e zanores . Spikerët bullgarë kanë zbatuar gjithmonë këtë dukuri tek –ë-ja fundore te emrat femërorë, te mbiemrat e formuar me anën e prapashtesës –të, të numërorët rreshtorë, te trajta e vetës së tretë njëjës e mënyrës lidhore te të gjitha foljet; te pjesoret e foljeve me temë me zanore a me sonantet  –l, -ll, -r, -rr dhe mbiemrat e nyjeshëm të formuar prej tyre etj. Tejkalimi i parimit fonetik të shqiptimit nganjëherë vihet re në fjalë të prejardhura, të formuara nga një temë më –ë me anë prapashtesash që nisin me bashkëtingëllore: botëror, drejtësi, frikësoj, frymëzoj, hollësi, hollësisht, gjuhësi, gjerësi, gjatësi, këmbësori, lehtësim, mirësi, përmirësoj, rreptësisht, thellësi, dhe në fjalë të përbëra  e të përngjitura, që kanë si pjesë të parë një temë të tillë me –ë, të ndjekur nga një temë që nis me bashkëtingëllore:  armëpushim, çfarëdo, frymëmarrje, gjashtëdhjetë, gjysmëhënë, kokëfortë, shumëfishoj, vetëdashje etj.

Gjatë diskutimit të normës fonetike duhet të përmendet edhe një dukuri tipike historike për shqipen - shurdhimi i bashkëtingëlloreve të zëshme në fund të fjalëve ose në trup të fjalës para bashkëtingëlloreve të shurdhëta, p.sh. vend, gaz, i madh, oriz, ndez, mblidhte. Kjo dukuri bie në kundërshtim me parimin fonetik të shqipes dhe sipas studijuesve është “në tërheqje dhe rudhje te brezi i ri” [3] . 

2. Zbatimi i normës lidhur me dukuri të veçanta

Spikerët e Radio Bullgarisë gjithmonë kanë qenë të kujdesshëm në vlerësimin e dukurive fonetike sipas parimit: duhet të përdoret – nuk duhet të përdoret. Disa shembuj të veçantë janë:

a) Ngulitja e formës me e para bashkëtingëlloreve hundore në fjalë të tilla si qendër, shpend, emër, femër, vend, mend, zemër, brenda, dhemb, tremb, shtrenjtë;

b) Fjalët me burim nga greqishtja dhe latinishtja, ose nga gjuhët romane që kanë në përbërjen e tyre c+i ose c+e ruhen si të tilla në shqiptim: citat, proces, deficit, recension.

c) Shqiptimi i drejtë më –l dhe jo me –ll i fjalëve si spekuloj, lotari, ambulancë, diplomë, deklaratë, luks, komplot, bulon, Holandë. Kjo dukuri është ndjekur me shumë konsekuencë dhe meriton vëmendje qoftë për vetëm vaktin se në bullgarishte –l dhe –ll nuk janë fonema të veçanta, por allofone të fonemës -ll.

d) Shqiptim i drejtë i bashkëtingëlloreve sh-, ç-, zh- në ballë të fjalës në fjalë si shfaqje, zhvendosje, zhdoganim etj.

            3. Shqiptimi i pakujdesshëm

 Shqiptimi i pakujdesshëm individual i spikerëve bullgarë nuk karaktizohet me veçoritë e stilit bisedor, as me ndonjë shmangje dialektore nga norma letrare, siç ndodh me spikerët e Radio Tiranës dhe të mediave të tjera shqiptare, por çon në thellimin e theksit të huaj, i cili për bullgarët ka pak a shumë tiparet e mëposhtme të përbashkëta:

a) Mosartikulimi i tingujve “q” dhe “gj” (që mungojnë në sistemin fonetik bullgar) dhe zëvendësimi i tyre me “k” dhe “g” ose me “ç” dhe “xh”, p.sh. përqind-përçind, përkind; gjithë – xhithë, githë.   Ketu madje lind pyetja se cili devijim është më i pranueshëm në rastet kur është i pashmangshëm – ai që është tipik edhe për vetë mbartësit e gjuhës, ose ai që bëhet vetëm nga të huajt.

b) Përdorimi i zanores “u” ose “ju” në vend të “y” (e cila mungon në bullgarishte) pas dhe në mes të bashkëtingëlloreve qiellzore dhe qiellzoalveolare: gjyq-gjuq; gjyqtar-gjuqtar; shyqyr-shuqur, shuçyr; shyqur, ky-ku,kju, ki; zhytem-zhutem, zhjutem.  Kjo dukuri pothuajse nuk vihet re në fillim të fjalës  yt, yshtje dhe në pozicione pas bashkëtingëlloreve buzore, ku aparati i artikulimit ka një parapërgatitje të natyrshme – bymej, Myzeqe. Po kështu ndeshet  relativisht rrallë pas bashkëtingëlloreve dhëmbore: syprinë, lypës, dysheme, trysni.

c) Shqiptimi i mbyllur ose zëvendësimi i zanoreve te patheksuara  pozitë-puzitë, kapak- këpak, demonstratë-demunstratë, koleg-kuleg, karakter-kërakter, prezantim-prëzantim, që është pasoje e drejtëpërdrejtë e drejtshqiptimit të bullgarishtes, i cili pranon këto luhatje të zanoreve të patheksuar.

 

            II. Çështje të stilistikës gramatikore (morfologo-sinatksore)

            Përkthyesit e emisionit shqip të Radio Bullgarisë kanë punuar për ngulitjen e disa tipareve të normës letrare, që zbatohen rreptësisht si p.sh.

1.      Shumësi i emrave në pajtim me normën.

2.      Përsëritja e parafjalëve dhe të lidhëzave bashkërenditëse e të nyjave në gjiinore me emra të bashkërenditur, përseritja e elementeve trajtëformuese te trajtat e bashkërenditura të foljeve si duke, për të. Këtu duhet theksuar se ndikimi i ekonomisë gjuhësore është shumë i fuqishëm dhe redaktorët shqiptarë kanë ngulur këmbë që kjo e fundit të zbatohet me përparësi.

3.      Përdorimi i rregullt i trajtave të përemrave pronorë (sonë-tonë, sate-tënde) dhe të nyjave (së-të).

Në emisionet e Radio Bullgarisë nuk ndeshen luhatjet e normës morfologjike dhe sintaksore, tipike për mediat shqiptare, që janë vënë në dukje gjatë diskutimit rreth temës “Kultura e gjuhës dhe media” [4] . Interes nga pikëpamja e teorisë dhe të praktikës së përkthimit paraqesin tipologjitë e shmangjeve në përkthim. Shembujt që kam përdorur janë nga arkiva ime personale dhe nga vërejtjet shumë të dobishme të prof.dr. Emil Lafes në bazë të programeve konkrete të Radio Bullgarisë.

1.      Përdorimi i përemrit pronor i/e vet edhe në vend të përmerit pronor të vetës së parë dhe të dytë p.sh. kam mundur të ruaj të gjallë në kujtesën e vet....

2.      Mbiemrat e bullgarishtes kur kanë kuptim përkatësor nuk përkthehen shqip me një emër në rasën gjinore p.sh.: marrëveshja paqësore-marrëveshja e paqes, oborri shkollor-oborri i shkollës, guri themelor-guri i themelit. Ky dallim është vështirë të shpjegohet thjesht teorikisht, sepse ka edhe raste kur mund të thuhet edhe ashtu, edhe kështu, p.sh. qeveria e Shqipërisë ose qeveria shqiptare pa patur ndonjë mundësi tjetër interpretimi të kuptimit.

3.      Formimi i disa mbiemrave me prapashtesën –ist në gjuhën shqipe: kooperativ-kooperativist, optimistik-optimist, farmaceut-farmacist.

4.      Huazimet terminologjike ose toponimet, që kanë hyrë në shqipe dhe bullgarishte me gjini të ndryshme dhe kërkojnë verifikim të vazhdueshëm në fjalor: alarmi-alarma, Lisboni-Lisbon,

5.      Përdorimi i së kryerës (perfektit) në vend të së kryerës së thejshtë (aoristit) për veprime që nuk kanë lidhje me momentin e ligjerimit ose anasjelltas: siç është theksuar në komunikatën e datës...; për këtë Bullgaria shprehu shumë herë vullnetin politik për të bashkëpunuar...

6.      Përkthimi fjlalë për fjalë i foljes ndihmëse dhe pjesores së perfektit të bullgaristhes në mbledhje ishte vendosur që... në vend të  në mbledhje u vendos që....

7.      Përdorimi i së kryeres (perfektit) të dëftores në vend të lidhores për të shprehur modalitet, p.sh. në pohime të pavërtetuara: Mendohet se ai është zhdukur  gjatë operacionit....në vend të  Mendohet se ai të jetë zhdukur...

8.      Kundërvënia kutpimore e emrave të huaja që kanë formuar në shqipe shemrat me –cion dhe –im: deviacion-devijim, komunikacion-komunikim, informacion-informim, kombinacion-kombinim, operacion-operim, dokumentacion-dokumentim, motivacion-motivim, provokacion-provokim.

9.      Shmangje në përdorimin e rasës rrjedhore të pashquar: Rrudhja e përdorimit të trajtës me –sh – një dukuri tipike edhe për shqiptarët, si p.sh. pas debateve të ashpra në vend të  pas debatesh të ashpra etj.

10.  Përdorimi ose mospërdorimi i trajtës së shkurtër përemrore të rasës kallzore: Me çfarë do ta mbani mend këtë vit? dhe Me çfarë do të mbani mend këtë vit? Shpjegimi është të fakti se përdorimi i trajtës së shkurtër përemrore të rasës kallëzore në shqipe nuk përputhet me bullgarishten dhe për të nuk ka rregulla të ngurta teorike. Paraqet vështirësi të madhe.

11.  Interferenca e strukturave sintaksore: ai gjithashtu mori pjesë në takim (ndajfolja para foljes); lajmet e lidhura me Bullgarinë (për lajmet nga Bullgaria dhe lidhur me Bullgarinë); një delegacion në krye me... (formula sintaksore në gjuhën shqipe ështe me.....në krye); t’u jepen mundësi palëve që...(shqip kallëzuesi duhet të jetë në njëjës – t’u jepet mundësi palëve).

 

III. Probleme të leksikut dhe të semantikës

       Ndërkohë që norma drejtshkrimore, norma drejtshqiptimore dhe norma gramatikore janë kategorike, d.m.th të detyrueshme, në fushën e leksikut norma nuk është tërësisht kategorike. Kjo është rezultat i zhvillimit të shpejtë të realitetit jashtëgjuhësor, i cili bën që fjalë dhe shprehje sot të panjohura ose të huaja, nesër të bëhen të mirënjohura dhe të pranueshme. Gjithësesi do të veçoj si më të rëndësishme në këtë fushë katër probleme të veçanta:

  1. Problemi i pastërtisë së gjuhës shqipe

Vendi i huazimeve në media mbase është tema e diskutuar më gjerë në rrethet shkencore, prandaj këtu do të shpreh shkurt vetëm mendimin tim personal, i cili përputhet me pozitën e shprehur gjatë konferencës nga prof. dr. Xhevat Lloshi: Fjalët e huaja të panevojshme duhet të evitohen si p.sh. investigator në vend të hetues, suport në vend të mbeshtetje etj. Njëkohësisht fjalët që tashmë “kanë fituar të drejtën e qytetarisë” [5] mendoj më shumë pasurojnë me sinonime sesa dëmtojnë thesarin leksikor  të shqipes si p.sh.  hezitoj-nguroj; stabel - i qendrueshëm; unanim – i njëzëshëm;  prioritet-përparësi åtj.

  1. Terminologjia

Për shqipen janë botuar shumë fjalor shpjegues, dygjuhësh dhe shumëgjuhësh, që deri tani kanë mbuluar me sukses nevojat e përkthyesve të Radio Bullgarisë në fusha të specializuara të shkencës. Këtu vështirësi paraqesin më shumë shprehjet e qendrueshme terminologjike, që nuk përputhen fjalë për fjalë me bullgarishten si p.sh. hedh shortin (dhe jo tërheq shortin); toger, por gjenerallejtënant dhe jo gjeneraltoger; mocion (jo votë mosbesimi)etj.

  1. Pasuria dhe larmia leksikore

Gjinitë publicistike kryesore në programet shqip të Radio Bullgarisë janë lajm, informacion, kronikë, reportazh, koment. Redaktorët e përkthyesit kanë arritur që gjuhën e një materiali me profilim të ngushtë ose të specializuar ta adaptojnë për veshin e degjuesit, kështu që të mos jetë e njëjtë me gjuhën e po atij artikulli ose interviste në një revistë shkencore. P.sh. në një material kushtuar bashkësisë gjuhësore ballkanike është më e përshtatshmë të përdoren terma më të përgjithshme e më të  kuptueshme, të shoqëruara me shpjegime më të hollësishme të thelbit të tyre (p.sh. në fushën e gjuhësisë fonema, morfema), kështu që materiali të kapet lehtë edhe nga dëgjuesit që nuk janë filologë.

Punë më këmbëngulëse vijon të bëhet për të luftuar me atë ngyresë që ka krijuar edhe cilësimin me kuptim të keq “gjuhë gazete” [6] , që i përket edhe gjuhës së radios në përgjithësi, e cila është shtyp i folur. Rruga më e lehtë është rritja e figurshmërisë përmes shtimit të figurave gjuhësore e letrare dhe të frazeologjisë. Sidomos për frazeologjinë është shumë me vlerë përdorimi i fugurshmërisë tipike shqiptare në vend të asaj bullgare si p.sh.  kur vjen e keqja hap derën; të vrasës edhe shtatë nuk gjen diçka, fjala jote në vesh të Perëndisë, sipas vendit dhe kuvendit dhe jo asnjë e keqe nuk vjen e vetëm, sikur të vrasësh vetën, nga goja jote në vesh të zotit, që janë përkthime fjalë për fjalë, të shoqëruara me klishen justifikuese “siç thuhet bullgarisht”. Këtu vështirësia vjen nga fakti, se shumica e materialeve në radio jepen në momentin e fundit për të qenë sa më të përditësuara.  Përkthimi i afrohet veçorive të atij simultan ku nën ndikimin e presionit  “në fjalorin aktiv të përkthyesit ndeshen fjalët me përdorim më të automatizuar sipas modelit të gravitacionit” [7] .

  1. Përputhja ligjerimore në përkthim

Sfida më e madhe për përkthyesit e Radio Bullgarisë është stili bisedor, komunikimi, ngacmimi i dëgjuesit, sepse këtu duhet të kalosh nga kodi i përkthimit në kodin e bisedimit, të togfjalëshave të qendrueshme të jetës së përditshme, që kanë modele gatshme dhe çdo mospërputhje vret veshin e dëgjuesit. Elemente të stilistikës mund të quhen zëvendësimi i Dëgjim të mbarë me Dëgjim të këndshëm; përjasthimi i thirrjes Mbetuni në valët e Radio Bullgarisë,  ku ndikimi i bullgarishtes ka çuar në krijimin e formës paekzistuese të urdhërores për foljen mbetem etj. Duhet të theksohet se pikërisht në fushën e përputhjes ligjerimore është më e vlefshme edhe ndihma e redaktorëve mbartës të shqipes.

 

 

 

 

 Perfundim

Emisioni shqip i Radio Bullgarisë ka ecur paralelisht me proceset e normëzimit të gjuhës letrare shqipe. Gjatë viteve të fundit konkurrenca tematike dhe problematike në efir është e madhe, por do të ishte e dëshirueshme që ajo të shtrihej me të njëjtin vrull edhe në nivelin e zbatimit të standartit gjuhësor.

 

Bibliografia:

 

  1. Diskutim për gjuhën e medias në komisionin për mjetet e informimit publik në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Gjuha jonë, 1-2/2000.
  2. Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë. Tiranë, 1988.
  3. Gile, D. Basic Concepts and Models for Interpretation/Translation Training. 1994.
  4. Gramatika e gjuhës shqipe. I-II. Tiranë, 1995-1997.
  5. Drejtshkrimi i gjuhës shqipe. Tiranë, 1974.
  6. Për pastërtinë e gjuhës shqipe. Fjalor. Tiranë, 1998.

 



[1] Autorja ka punuar në emisionin shqip të Radio Bullgarisë në periudhën 1991-2000.

[2] Drejtshkrimi i gjuhës shqipe. Tiranë, 1974, f.15.

[3] Dodi, A. Gjuha letrare shqipe e folur dhe norma e saj fonetike në etapën e sotme. Bashkëreferat. Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë. Tiranë, 1988, f. 143.

[4] Lafe, E. Gjuha e medias sot – probleme dhe detyra. Në “Gjuha jonë”, 2000, 1-2, f. 16-17.

[5] Po aty, f. 11.

[6] Thomai J., Tipare të gjuhës së shtypit në kohën tonë. Po aty. F. 165.

[7] Gile, Daniel. Basic Concepts and Models for Interpretation/Translation Training. 1994, f. 223


home