Rusana Hristova-Bejleri. SHQIPJA NË FJALORIN ETIMOLOGJIK TË BULLGARISHTES

 

Botuar në: Eqrem Çabej dhe kultura shqiptare. Konferencë Shkencore Ndërkombëtare me rastin e 95-vjetorit të lindjes së Prof. Eqrem Çabejit. Gjirokastër, më 23 maj 2003. Tiranë,  2004. f. 361-368.

 

 

Fjalori Etimologjik i bullgarishtes (Bëllgarski etimologiçen reçnik, i njohur edhe me shkurtimin BER) nuk është titulli i një libri, por i një nisme gjithëpërfshirëse të Akademisë Bullgare të Shkencave nën udhëheqjen e të ndjerit profesor Vladimir Georgiev. Vetë profesor Georgievi ishte njohës i mirë i historisë së gjuhëve ballkanike, të shqipes dhe të veprave të Eqrem Çabejit në veçanti. Ai që edhe mbrojtesi i zjarrtë i një prej hipotezave kryesore për prejardhjen e shqipes – asaj të dakomizishtes.

 

Në këtë kumtesë do të jepet një pasqyrë e shkurtër e Fjalorit etimologjik të bullgarishtes, e përqendruar rreth dy boshteve kryesore:

- Ndërtimi i artikujve për të parë rolin e shqipes sipas parimeve leksikografike

- Prania e shembujve të  shqipes si gjuhë burimore, ndërmjetëse, marrëse dhe si ilustrim i përhapjes së fjalëve dhe gjedhës fjalëformuese.

 

 

I. Ndërtimi i artikujve.

 

Qellimi i Fjalorit etimologjik të bullgarishtes është që të shpjegohet e gjithë pasuria leksikore e gjuhës bullgare, e grumbulluar nga shkencëtarët. Deri më sot është arritur vëllimi VI – shkronja “S”.  Projekti ka një shtrirje gati gjysmëshekullore dhe mbi të tani punon praktikisht një brez i tretë gjuhëtarësh. Në përiudhën përgatitore anëtarët e ekipit fillestar prof. Vladimir Georgiev, prof. Ivan Gëlëbov, prof. Jordan Zaimov dhe prof. Stefan Ilçev kanë kaluar një kurs të specializuar dyvjeçar të gjuhës shqipe me pedagog shkrimtarin shqiptar me banim në Sofje Thoma Kacori.

Bibliografia e çdo vëllimi është një vepër më vete – nga  70-80 faqe. Në të përfshihen konsekuente të gjitha studimet etimologjike dhe dialektore të botuara deri në momentin e hartimit, përfshirë këtu edhe veprat e Eqrem Çabejit.

Në vend të parë pas fjalës-titull jepen paralelet sllave sipas shkallës së afrisë gjinore: serbokroatisht, sllovenisht, rusisht, ato ukrainase ose bjelloruse kur dallohen nga trajta ruse ose kur nuk ndeshen në gjuhën ruse, çekisht, sllovakisht, polonisht (dhe gjuha kashube). Në bazë të formave sllave rindërtohet forma protosllave. Më tutje vijojnë përkime në gjuhët indoevropiane prapë sipas shkallës së afrisë me formën sllave: gjuhët balltike (lituanisht, letonisht, prisishtja e vjetër), familja gjermanike (me gjuhët përkatëse të vjetra), gjuhët iraniane, gjuhët e vjetra indiane, greqishtja, latinishtja, armenishtja. Këtu shqipja bie në kategorinë e gjuhëve që citohen vetëm në rastet kur përmbajnë paralele mjaft të afërta me formën sllave.

Në fund të artikullit mund të shtohen edhe shpjegime për ndonjë veçori fonetike, morfologjike ose semantike të fjalës ose të modelit fjalëformues. Gjenden të dhëna edhe për depërtimin e fjalës në gjuhë të tjera. Te fjalët e huazuara shënohet gjuha nga janë marrë në bullgarishte dhe ndiqet rruga e tyre deri në gjuhën burimore. Është e natyrshme që vëllimet më të reja përmbajnë më shumë hipoteza dhe ndërtime të mundshme etimologjike, ngadonjëherë edhe të kundërta, të cilat citohen me autorë dhe vepra.

 

II. Shqipja si burim

Fjalët që përfaqësojnë shqipen si gjuhë burimore mund të ndahen përgjithësisht në dy kategori të përgjithshme:

1.  Fjalët që burojnë nga të folmet e fshehta të muratorëve në zona të ndryshme, që përbëjnë një numër relativisht të madh, por që janë me shtrirje dhe përdorim të kufizuar krahinor, p.sh.

- mish – me kuptimin “mish” në rrethin Pirdop. [IV, 142]

- mishajko – “mish”, në Gërmen, Leshten, Satovça, Osikovo, Kovaçevica, Gocedelçev, me prapashtesë analogjike si te rushajko – “rush”.[IV, 142]

- mishovina – mish (Krushevo, Maqedoni)- “mish i pjekur” (Veles, Maqedoni) [IV, 144]

- mos (Pirdop, Smolsko)  - “mos fol”, shkurtuar nga forma e së folmes së fshtehtë të muratorëve mosfale  [IV, 252]

- motra – në shumë vende, regjistruar në shumë burime dhe në të folme të ndryshme profesionale, p.sh. te rrobaqepëset. Është marrë edhe me kuptimin “kunatë”. [IV, 262]

Edhe pse jo shumë, ka fjalë nga të folmet profesionale që kanë fitiar shtrirje më të gjerë dhe kanë krijuar çerdhe më vete në nivel dialektor  si:

- presam – “pres”, “korr”, “kosit”, më tutje presaç – “thikë”, “kosë”, “drapër” [V, 667]    

Të folmet e fshehta profesionale janë interesante edhe me ndryshimin e kuptimit dhe me zhvillimin semantik të papritur:

- ordesalnik – “pianec” në gjuhën e këpucarëve (Prilep, Maqedoni), nga shq. (h)ardhi [IV, 916]

- mishkina svatba (fsh. Sokolovci i Smojanit) – dasma e minjve me kuptim “nuselale” – shpjegohet edhe kalimi semantik nga nuselalja si armik i minjve [IV, 143]

- oparak (Prilep, Maqedoni) – “i egër”, “i paedukuar”; nga gjuha e fshehtë e këpucarëve. Për këtë fjalë ka grumbulluar të dhëna folkloristi i autoritetshëm bullgar Ivan Shishmanov. Sipas burimit të tij shqiptarët nga fshati Opara i Korçës, që kishin ardhur në Krushovo të Bitolës ishin më të egër se shqiptarët e tjerë në fshat nga erdhi edhe epiteti përkatës. [IV, 896]

- nusa - e folmja e rrobaqepësve, nuska –e folmja e muratorëve. Fjala  nuse, nusja ka kaluar në gjininë asnjanëse me prapashtesën zvogëluese –ka si analogji gramatikore me paralelen bullgare zvogëluese bullçe. [IV, 708]

 

2. Fjalët me prejardhje të herrshme në truallin kryesor të bullgarishtes.

- barz, barazav, bardz, bardziv, bardzav – “ngyrë hiri” (dial.). Nga shqipja bardhë me prapashtesën –iv nën ndiqimin e vargurt të emërtimeve të ngjyrave sivkav, bozav, beleznikav, sinkav. Vijon edhe një zhvillim semantik interesant etnolinguistik bardza si emër do të thotë “grua e shëndosh”. [I, 34]

- mirka2 “tepër e bukur” (Bracigovo). – Nga shq. mirë me praprashtesën zvogëluese bullgare –ka (krhs. hubavka) [IV, 117]

- moli ma (ta, go...) pavet. (Radovene, Vraca) “më pret, bëhet; më mban”... Me shembuj dhe shpjegime... Mund të jetë huazim nga shqipja moli p.sh. në shprehjen më moli gjumi. Forma shqiptare është aortist i foljes molis.[IV, 216]. Në këtë shembull, siç e vuri re prof. Emil Lafe, forma moli  ngatërrohet me mjel-mola.

- murg – “i zi”, “gri”, sipas etimologut V. Orel vjen nga shqipja e vjetër, murg me të njëjtin kuptim, pastaj radhiten maja Murgash, murgo, murgav.  Më vonë është zhvilluar me metatezë në mruk bob që do të thotë “groshë”. [IV, 332]

- mogila – kodrinë, sipas Selishtevit e Georgievit shpjegohet nga shqipja magulë, gamulë. Ka edhe hipoteza të kundërta. [IV, 197]

- nepërtëk, neprëtëk- bime lat. Ranunculus acer. Kërkohet lidhje semantike midis gjarpërit dhe kësaj bime në konceptin “ljut” – ”i hidhur”, “djegës”. Emri popullor i bimes është “ljutiçe”, që reflekton vetitë specifike toksike të bimes. Ndërkohë epiteti “ljut” është tipik për gjarpërin dhe nepërkën në veçanti. [IV, 618]

 

III. Shqipja si gjuhë marrëse

Fjalori etimologjik i  bullgarishtes përfshin mjaft të dhëna për depërtimin në gjihën shqipe të fjalëve të korpusit bazë të bullgarishtes që datojnë nga sllavishtja e vjetër, përfshirë këtu edhe toponime. Studimet në këtë drejtim kanë qenë shumë aktive për një periudhë të gjatë nga disa breza gjuhëtarësh ballkanas, rusë dhe perëndimorë. Fjalori i ka tretur mirë studimet e Meyerit, Selishtevit, Çabejit, Desnickajës etj. Jepen të dhëna edhe për shtresimin kohor të fajlëve me prejardhje sllave në shqipe dhe për rrugët e hyrjes së e tyre.

- mito – nga bullgarishtja e vjetër  “shpërblim”, “dhuratë”. Selishtevi regjistron në shqipe mitë me kuptimin e mësipërm [IV,137]

- mokër – “i lagët”, “baltë” dhe e afërt me kuptime të tjera, dhe mokërr [IV, 212]

- molec – “molë”, “moliicë”– regjistruar te Selishtevi, Meyer, St. Mladenov etj. [IV, 214]

- molika – lat. Pinus peuce, shq. molikë – sipas Georgievit nga serbishtja omorika me lapsus të o-së nisore dhe r>l si në huazime të tjera sllave në gjuhën shqipe [IV, 216]

- motika -  “shatë”, në dialekte matukë. Në përputhje me veçoritë fonetike përcaktohet si huazim i vjetër.[IV, 259]

 - motovilo – sipas Selishtevit në shqipe motovilë [IV, 261]

- mornici – huazuar në shqipe mornica  [IV, 245]

- mraznë shqipe si marth, maraz, mraznga sllavishtja e lashtë me kuptim stuhi”, më vonë “acar” [IV, 275]

- mushica nga sllavishtja e lashtë përmes greqishtes së re në shq. muhicë, musicë [IV, 365]

- mërzja -  “përtoj”, në shqipe mërzit, mërzi. [IV, 410]

- padambie, në shqipe në trajtën padit akuzoj”, “sulmoj” [IV, 1001]

- orëdienë shqipe orendije, orëndi (orëdie), regjistrohet si shpjegim i gabuar prejardhja nga latinishtja arredo [IV, 931]

- oman shq. oman, bimë mjekësore lat. Inula helenium, nga sllavishtja e lashtë – omajvam, zamajvam  “më merren mendtë [IV, 870]

- ogulja – “godas”, “rrjep lëkurën”, “qerroj”; në shqipe në shprehjen cjap gul cjap pa bri”, që ndeshet edhe në gjuhë të tjera [IV, 781]

- okol, okolo – “rreth”, shq. okoll, okol, ukol (geg.) në kuptimet rreth njerezish”,” rreth” [IV, 846]

 

 

IV. Huazime të përbashkëta

Ekuivalentet shqipe jepen në shumicën e rasteve te fjalët turke dhe greke që kanë depërtuar pak a shumë njëkohësisht në të dyja gjuhët. Kutu përfshihen gjithashtu fjalët me burim nga arabishtja e persishtja, por që kanë hyrë nëpërmjet turqishtes.  Në këtë kategori nga pikëpamja statistikore gjendet numëri më i madh i shembujve nga shqipja, zakonisht me kuptim të njëjtë ose shumë të afërt. [1]

 

V. Shqipja si gjuhë ndërmjetëse

 

- bishe (Bullgari Jugperëndimore)  – “derr”, me zhvillim semantik bishka “dosë dhe më tutje bima lat. “Datura stramonium”. Prejardhja nga italisthja bestia, përmes shqipes bishë. [I, 51]

- misur1 – Fjalori etimologjik jep katër variante etimologjike të kundërta nga Berneker, Meyer, Meyer-Lubke, Skok. Kështu fjalët shqiptare misur, misurë nga disa dijetarë të cituar konsiderohen me prejardhje sllave, kurse të tjerë mendojnë se fjalët kanë depërtuar në bullgarishte nga latinishtja përmes shqipes. Fjala është shembull i mirë i vështirësive objektive para etimologëve në leksikografi. [IV, 129]

 

IV. Shqipja në ilustrim të shtrirjes së fjalës

1. Afria në bazë të largët indoevropiane. Zakonisht përmenden njësi leksikore me zhvillim të pasur semantik me disa shtresa kuptimore diakronike:

- beda – “fatkeqësi”, afruar me shq. be [I, 39]

- borja se – “luftoj”, afruar me shq. bie .[I, 69]

- zmija – “gjarpër”, afruar me dhemje nga dhe [I, 647]

- neizblem – “i patundshëm”, krahasohet me shq. djep, djebë [IV, 601]

- nrav – “karakter”, në lidhje të largët semantike me shq. njeri [IV, 698]

2. Fjalë me prejardhje më të lashtë ballkanike.

- mësk mushkë”, citohet Çabej - në shumë gjuhë ballkanike dhe sllave ka fjalë nga shtresa e gjuhëve më të lashta ballkanike [IV, 431]

- zara – “dhallë”, me prejardhje nga dakomizishtja [I, 606]

3. Paralelet shqipe të fjalës bullgare jepen shpesh në rastet kur kemi fjalë me etimologji të huaj, që kanë depërtuar në të dyja gjuhët duke ndjekur rrugë të ndryshme.

- mura – “more”, lat. Morus alba në bullgarishte nga greq. e re mure, kurse në shqipe nga latinisthja mora “fryt i pemës” [IV, 330]

4. Paralele shqipe jepen si ilustrim pa shpjegime në rastet ku prejardhja mbetet e paqartë deri në fund.

- bigor  - “gëlqere” me zhvillim kuptimor bigorov – “shumë i kripur”. Në Dibër ka një monastir Sveti Ivan Bigor, fjala ndeshet në shqipe dhe nëserbokroatishte. E paqartë. [I, 46]

pllana - .....krahaso shq. pllanjë [V, 301]

5. Fjalë të depërtuara në shqipe përmes bullgaristhes nga gjuhë të tjera

- gushë – huazim nga latinishtja geusiae “grykët”, përmes rumanishtes dhe më tutje e përçuar në shqipe [I, 297]

 

VI. Hipoteza jobindëse ose të dyshimta

 Pas vëllimit të dytë në korpusin e fjalorit janë përfshirë në mënyrë të rregullt edhe mendime që janë hedhur poshtë ose që konsiderohen me gjasa më të vogla. Citohen disa hipoteza për prejardhje nga shqipja dhe shpjegohen arsyet që ngjallin dyshim në vërtetësinë e tyre. p.sh. 

- moga – “mund” në lidhje me shq. i madh [IV, 194]

- mëlçati – “hesht”  nga shq. mekem, që konsiderohet e pamundur fonetikisht [IV, 392]

- oveç – e huazuar nga ogiç në dialektet shqipe. [IV, 767]

- mërka - (për dashin)  nga mërkosh në ritin e kuvadës [IV, 412]

 

VII. Fjalori etimologjik i bullgaristhes dhe studimet gjuhësore - përfundim

Fjalori etimologjik i bullgarishtes tashmë është një manual referimi i pasur për gjuhëtarët dhe studiuesit e tjerë. Në periudhën e sotme - mund të thuhet pa tepërim - gjurmimet e mundimshme etimologjike kanë dalë nga moda duke u lënë vend studimeve “më tërheqëse” ndërdisiplinore - etnolinguistike, sociolinguistike etj. Megjithatë çdo specialist që ka kërkuar informacionin “e bekuar” (në kuptimin të mbledhur dhe të sistemuar) në Fjalorin etimologjik nuk mund të mos ketë ndierë mirënjohje instinktive për punën kolosale të autorëve të tij. Tipari dallues i çdo vepre të mirë të këtij tipi është energjia frymëzuese,  pra idetë që të lindin vetëvetiu duke e lexuar ose shfletuar.

 

Bibliografia:

Bëllgarski etimologiçen reçnik

Vëllimi I, A-Z, Vl. Georgiev, I. Gëlëbov, J. Zaimov, St. Ilçev; redaktor Vl. Georgiev, Sofija, 1971, 680 f.

Vëllimi II, I-KREPJA, Vl. Georgiev, J. Zaimov, St. Ilçev, M. Çalëkov, J. Ivanov, D. Mihajlova, V. Anastasov, G. Rikov, O. Mladenova, U. Dukova, M. Raçeva, L. Dimitrova-Todorova, T. Todorov; redaktor Vl. Georgiev, Sofija, 1979, 740 f.

Vëllimi III,  KRES-MINGO, Vl. Georgiev, R. Bernar, St. Ilçev, J. Ivanov, D. Mihajlova, V. Anastasov, U. Dukova, M. Raçeva, T. Todorov; redaktor V. Georgiev, Sofija, 1986, 800 f.

Vëllimi IV, MINGO-PADAM, V. Anastasov, L. Dimitrova-Todorova, U.Dukova, J.Ivanov, D. Mihajlova, O. Mladenova, M. Raçeva, G. Rikov, T. Todorov; redaktorë Vl. Georgiev, I. Duridanov. Sofija, 1995, 1003 f.

Vëllimi V, PADEZH-PUSKA, V. Anastasov, L. Dimitrova-Todorova, U. Dukova, J. Ivanov, E. Mashalova, D. Mihajlova, O. Mladenova, M. Raçeva, G. Rikov, L. Selimski, T. Todorov, kryeredaktor I. Duridanov; redaktorë M. Raçeva, T. Todorov, Sofija, 1999, 860 f.

Vëllimi VI, PUSKAM-SLLOVAR2, V. Anastasov, Hr. Dejkova, L. Dimitrova-Todorova, U. Dukova, D. Mihajlova, M. Naçeva, M. Raçeva, G. Rikov, L. Selimski, T. Todorov; redaktorë. M. Raçeva, T. Todorov, Sofija, 2002, 886 f.

 



[1] Në vitin 2000 pedagogu i Universitetit të Korçës dr. Dimitër Bello mbrojti tezë doktorati në Sofje me titull “Huazimet turke në shqipe dhe bullgarishte”, duke përdorur si manual bazë për gjuhën bullgare Fjalorin etimologjik të bullgarishtes.