Dr. Rusana HRISTOVA-BEJLERI (Universiteti i Sofjes)
GJUHA SHQIPE DHE TEKNOLOGJITË E INFORMACIONIT
Vështrim i jashtëm albanologjik
Mbijetesa dhe integrimi i gjuhëve dhe kulturave të vogla në hapësirën globale varet deri diku nga aplikimi në kohë i teknologjive të informacionit në praktikën dhe teorinë gjuhësore. Gjatë vitit të kaluar për gjuhën shqipe u realizuan disa projekte kyçe me efekt afatgjatë shkencor dhe sociolinguistik, ndër të cilat: programi kompjuterik drejtshkrimor; varianti elektronik i fjalorit shpjegues; programi kompjuterik për mësimin e gjuhës shqipe; përshtatja e sistemit Microsoft Windows në gjuhën shqipe etj. Ky artikull ka për qëllim të paraqesë arritjet dhe perspektivat kryesore të digjitalizimit të shqipes nga pikëpamja e jashtme albanologjike dhe është përgatitur për botimin jubilar kushtuar 70-vjetorit të shkencëtarit të autoritetshëm bullgar profesor Zhivko Bojaxhiev, gjuhëtar, sociolinguist, kryeredaktor i revistës “Gjuhësia krahasuese” (Sëpostavitellno ezikoznanie).
Varianti elektronik i FGJSSH ndjek plotësisht botimin e tij të parë të vitit 1980 dhe përmban rreth 40 mijë fjalë. Në këtë kuptim për të vlen çdo gjë që është thënë ndonjëherë për fjalorin libër. Por përpos saj varianti elektronik sjell dy lehtësime cilësore – një pragmatik dhe një shkencor: Fjalori mund të instalohet në çdo kompjuter dhe të konsultohet me një klikim, pa u rënduar nga pesha e librit dhe pa u mërzitur nga shfletimi. Pikërisht mundësia e një përdorimi të gjerë praktik është një “metameritë” e çdo manuali. Jo më pak e rëndësishme është perspektiva shkencore leksikografike. Ndryshimet shoqërore, dyndjet e emigrantëve nga territoret shqipfolëse dhe dallgët e risive teknike janë pasqyruar në gjuhë dhe mënyra më realiste për të regjistruar këtë është ajo digjitale. Në vend të parë këtu mund të përmendet kërkesa për depolitizimin e shpjegimeve, përfshirja e huazimeve të afirmuara dhe, mundësisht, shënimi i emërtimeve latine të florës dhe të faunës. Në vend të dytë, në dallim nga bullgarishtja, ku gjuha standarde është vendosur e rrënjosur prej kohësh dhe dialektet janë tepër të dallueshme prej standardit, në rastin e shqipes deri para 30-35 vjetësh krahas variantit letrar mbi bazën e toskërishtes (që u shndërrua shkallë-shkallë në shqipen standarde), kanë funksionuar dhe variante letrare mbi bazën e gegërishtes, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë e Maqedoni. Në këto kushte fjalori kompjuterik i standardit bëhet pikënisje për digjitalizimin e thesarit leksikor mbarëshqiptar, ashtu siç mëton f.v. Fjalori shumëvëllimësh i gjuhës bullgare. Në vend të tretë, softueri ofron bazë teknologjike dhe metodologjike për hartimin e fjalorëve dygjuhësh, ndër të cilët edhe ende i parealizuari fjalor shqip-bullgarisht.
Programi elektronik i mësimit të shqipes quhet “Kulla e shqipes”. Emri është shumë i goditur dhe krijon asocimin me shtëpinë tipike etnografike shqiptare - kështjella në miniaturë, që është ndër simbolet e preferuara origjinale në kartolinat dhe broshurat turistike. Gramatika shqipe është e vështirë për t’u përvetësuar nga të huajt, sepse ka shumë rregulla dhe edhe më shumë përjashtime. Ndër më të koklaviturat janë formimi i shumësit të emrave, lakimi i togfjalëshave emër+mbiemër i nyjshëm, zgjedhimi i foljeve. “Kulla” virtuale është ndërtuar në mënyrë të tillë, që që nga faqja e parë të lejojë vizitorin “të hyjë” në “odat” e të gjitha pjesëve të ndryshueshme të ligjëratës, të marrë të dhëna të plota gramatikore për fjalën e kërkuar, si edhe të bëjë vetëkontroll në formën e lojës: mbush vendet boshe – thirr përgjigjen e saktë. Programi do të jetë i dobishëm kryesisht për nxënësit shqiptarë, një pjesë e madhe prej të cilëve banojnë jashtë shtetit me prindërit emigrantë, të cilët edhe pse zotërojnë gjuhën amtare në të folur, ndeshin vështirësi objektive në mësimin e gjuhës së shkruar. Programi është mjet i pandarë ndihmës edhe i strategjisë së përgjithshme arsimore në kohën kur statistikat alarmojnë për rritjen e numrit të nxënësve shqiptarë që braktisin shkollën.
Lokalizimi i Microsoft Windows XP në gjuhën shqipe është një lehtësim i madh për përdorimin e kompjuterit nga njerëzit që nuk zotërojnë anglishten. Për gjuhën bullgare kjo është bërë që para dhjetë vjetësh dhe në përgjithësi mund të konsiderohet një domosdoshmëri teknologjike. Microsoft Windows XP në shqip është realizuar nga Qendra për Edukim dhe Përparim në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe Institutin e Informatikës dhe të Matematikës së Aplikuar në Tiranë, me Alba-Softin dhe me një përkrahje të madhe nga Microsoft-i. Lokalizimi është bërë për klientët e Microsoft-it dhe, kuptohet, me të gjitha të drejtat të rezervuara nga Microsoft-i. Vështirësia kryesore në këtë projekt nuk ka qenë inxhinierike, por gjuhësore – mungesa e fjalorëve terminologjikë në fushën e informatikës. Realizimi i suksesshëm i projektit do të thotë njëkohësisht se është hartuar edhe fjalori përkatës terminologjik i shqipes, sepse lokalizimi i Windows nuk do të thotë përkthim, por në të vërtetë shqipërim-përshtatje ndaj traditës gjuhësore dhe kulturore shqiptare, ndaj rregullave gramatikore dhe veçorive semantike.
Programi kompjuterik drejtshkrimor, i njohur me emrin “redaktor elektronik”, ofron mundësi për rritjen e padhembshme të kulturës gjuhësore të popullsisë dhe për përmirësimin e cilësisë se botimeve të shtypura dhe virtuale në gjuhën shqipe. Në kushtet e vështira ekonomike të tranzicionit, siç ka ndodhur edhe në Bullgari, posti i korrektorit/lektorit u shkurtua vetvetiu në shumë media shqiptare, kurse për fat të keq ndihet mungesa e tij edhe në disa shtëpi botuese. Gjatë përpunimit të redaktorit elektronik janë përdorur shumica e fjalorëve ekzistues të përgjithshëm dhe të profiluar. Programi dallon mbi një milion trajta fjalësh, ndër të cilat mbi tridhjetë mijë emra pa llogaritur paradigmat e lakimit, kurse rreth gjashtë mijë foljet shfaqen me rreth pesëdhjetë mijë trajta të zgjedhuara në kohët e ndryshme. Në program përfshihen afro tri mijë toponime dhe antroponime nga Shqipëria dhe Kosova. Shpresëdhënës është fakti se inventari i redaktorit elektronik përmban nja dy mijë fjalë të reja, të përzgjedhura nën drejtimin e prof. Emil Lafes për fondin e ardhshëm mbarëshqiptar, si p.sh. nga shkronja “A”: akciz/ë, -a f.sh. -a, -at (ek.); aktrim, -i m. (teat.); aktr/oj jokal. -ova, -uar; amnor, -e mb.(gjeol.) shkëmbi amnor; anatem/ohem pës. -ova (u), -uar; anatem/oj kal. -ova, -uar; anatemuar (i,e); ankim/oj kal. -ova, -uar (drejt.) (bëj ankim në gjykatën e apelit); ankimohet pës.; ardhmëri, -a f.; autorizuar (i,e) mb.(edhe i emërzuar) etj. Zgjidhjet e propozuara drejtshkrimore për këto fjalë janë me vlerë normative për gjuhën shqipe, sepse ato nuk hasen në fjalorët e tjerë. Sikurse u përmend, standardi shqiptar është relativisht i ri dhe për këtë arsye redaktori kompjuterik ushtron një funksion më të theksuar sociolinguistik, sesa në gjuhën bullgare, ku problemet që eliminon janë më shumë të karakterit teknik. Për momentin motori kryesor i digjitalizimit të gjuhës shqipe është Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP) në Prishtinë. Ekipi me në krye Lulëzim Shishanin përbëhet nga specialistët Vehbi Neziri, Nexhit Shala, Driton Shishani, Gani Lajçi dhe gjuhëtarët nga Prishtina e Tirana Emil Lafe, Fadil Raka, Shefkije Islamaj, Isa Bajçinca, Enver Hysa, Adelina Çerpja dhe Ilirian Martiri. Ja se si duket strategjia dhjetëvjeçare e QEP-it, në kuadrin e së cilës premtohet shpejt edhe kompletimi i fondit të sinonimeve në gjuhën shqipe, si dhe pasurimi i bibliotekës virtuale (www.gjuha-shqipe.com).
Në fushën e linguistikës kompjuterike punojnë individualisht dhe në projekte të ndryshme edhe specialistë të tjerë shqiptarë, shumica e të cilëve në institutet dhe qendrat perëndimore. Fjalorët më të rinj dygjuhësh zakonisht gjithashtu shoqërohen me variant elektronik. Produktet kompjuterike gjuhësore dhe prania në internet tashmë janë bërë pjesë e domosdoshme e komunikimit, e koncepteve moderne për “hapësirën shkencore” dhe e potencialit për pasurimin e traditës dhe të vlerave mbarëshqiptare. Sigurisht prapa tyre qëndron intelekti njerëzor, përgatitja solide shkencore, përvoja shumëvjeçare, guximi dhe sytë e mendjes.
|