Bardh Rugova. GJUHA E FSHEHTË E TË RINJVE TË PRISHTINËS. Materialet e Seminarit XXII për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, 2003
- Sfondi i Prishtinës; - Historiku i studimeve për të folmet shoqërore në gjuhësinë shqiptare; - Ç’janë të folmet shoqërore dhe gjuhët sekrete? - Cila është gjuha e fshehtë e të rinjve të Prishtinës? - Si mund të bëhet hulumtimi i një gjuhe të tillë? - Pse përdoret kjo gjuhë dhe si përdoret? - Cila është e ardhmja e saj?
Prishtina shtrihet në pjesën lindore të Kosovës dhe, në përgjithësi, në pjesën verilindore të trojeve, në të cilat flitet gjuha shqipe. Ajo bën pjesë në arealin e nëndialektit të gegërishtes verilindore. Në shekullin XIX, Prishtina i kishte 9.000 banorë, ndërsa para Luftës së Dytë Botërore rreth 17.000 sish. Popullata e atëhershme - kryesisht shqiptarë – e ka folur në shtëpi turqishten si gjuhë amtare. Pas Luftës së Dytë Botërore, Prishtina është bërë kryeqytet i Krahinës Autonome të Kosovës në kuadër të ish-RSFJ-së. Në këtë periudhë është krijuar një dyndje e popullatës. Një pjesë e madhe e popullatës vendase ka migruar në Turqi, ndërsa qyteti është populluar nga banorë të viseve të tjera të Kosovës. Së këndejmi, në aspektin gjuhësor, Prishtina përbën një përzierje të folmesh të ndryshme, kryesisht të gegërishtes verilindore. Ndërkohë, Prishtina si qendër kulturore, biznesi dhe administrate e arsimi, vazhdon të popullohet nga banorë të viseve të tjera. Sot është qytet me rreth 500.000 banorë. Turqishtja një kohë të gjatë – edhe sot më rrallë - është shfrytëzuar edhe si gjuhë prestigji, por në situate të caktuara edhe si gjuhë e fshehtë, të cilën dy folës e kanë shfrytëzuar për të mos u kuptuar nga të tjerët në një ambient të caktuar. Gjuha e fshehtë e të rinjve të Prishtinës ka nisur të përdoret për qëllime pak a shumë të njëjta në kohën, kur turqishtja në Prishtinë e kishte humbur rolin e saj si gjuhë prestigji. Studimet e të folmeve shoqërore në gjuhën shqipe kanë nisur herët. Me ndihmë nga literatura, mund të thuhet se, qysh më 1942, Eqrem Çabej ka pasur një studim rreth elementeve të shqipes që kanë hyrë në të folmet e zejtarëve të Greqisë Veriore. Mirëpo, si studim më analitik mund të konsiderohet artikulli “Të folmet shoqërore” i Qemal Haxhihasanit, i botuar në revistën “Studime Filologjike” më 1964. Haxhihasani në atë punim shkruan për “nji tog të folmesh e mënyrash të veçanta komunikimi, të cilat njihen me emna të ndryshëm sipas krahinave, rretheve shoqnore, grupeve profesioniste që i kanë përdorë”. Ai përmend purishten si të folme të muratorëve të Oparit (Korçë), dogançen e kallajxhinjve të Brezhdanit, të Maleshovës e të Limarit, lovidharçen e sharraxhinjve të Kaludhit, tëKonikolit, delipbepçen e belaxhinjve të Tiranës etj. Të folmet e ngjashme në rajon (edhe në gjuhë të tjera) kanë nisur në fund të shekullit 19. Një studim tjetër, më i ri, është i Marijana Ymerit, në Seminarin XVIII, më 1996, me kumtesën “Ligjërimi rinor i studentëve të viteve nëntëdhjetë”. Studim për gjuhën e fshehtë të të rinjve të Prishtinës nuk ka pasur deri më sot.
Tash për tash, sociologët pajtohen se shumë pak dihet për strategjitë e të folurit dhe të komunikimit, me të cilat të rinjtë duan ta formojnë mobilitetin e tyre shoqëror, të krijojnë realitete alternative (subkultura) ose të garojnë mes vete për prestigj. Gjatë procesit të të mësuarit për të mbajtur raporte të caktuara me prindërit, vëllezërit e motrat, shokët dhe institucionet e caktuara, të rinjtë duhen t’i mësojnë sjelljet dhe kërkesat e të tjerëve. Mirëpo, në komunikimet e ndërmjeme për të rinjtë është me rëndësi ta shpehin Veten. Të jesh anëtar i një grupi kërkon një nivel të caktuar të ndërveprimit shoqëror. Nëpërmjet shoqërisë, të rinjtë mësohen ta përcaktojnë identitetin e vet. Brenda shoqërisë, random, krijohet një lloj identiteti i përkohshëm personal, siç e quan Brown (1990). Komunikimet brenda grupeve të tilla ofrojnë rast për t’i zbatuar aftësitë shoqërore dhe zhvillojnë strategji efektive për komunikim me shokët dhe me të tjerët. Gjuha luan një rol të rëndësishëm gjatë përcaktimit të identitetit shoqëror të të riut. Së këndejmi, krijimi dhe loja me gjuhën nuk është e pazakonshme në shoqëritë e tilla. Gjuha e fshehtë e të rinjve të Prishtinës është një ligjërim të rinjsh, ligjërim rinor. Çka është ligjërimi rinor në përgjithësi? Në punim e saj më 1996, Ymeri ka cituar se ligjërimi rinor mund të përkufizohet si “një variant i gjuhës së folur, në mënyrë pak a shumë të gjerë e të qëndrueshme, por vetëm në marrëdhëniet në grup të adoleshentëve dhe të pasadoleshentëve”. Me fjalë të tjera, ky është një ligjërim ndërmjet të rinjsh që rëndom identifikohen nëpërmjet kësaj të folmeje dhe që, ndonjëherë, nuk dëshirojnë të kuptohen nga të tjerët. Natyrisht, e folmja e tillë nuk është e mjaftueshme të jetë gjuhë e veçantë dhe as të rinjtë nuk e flasin gjatë gjithë kohës, por vetëm në situata të caktuara.
Joshua Fishman (1971) na ka mësuar se fakti që dy individë, të cilët zakonisht komunikojnë në një gjuhë të caktuar dhe kalojnë (switch) në “gjuhë” tjetër kur diskutojnë tema të caktuara, në të vërtetë kryejnë rregullimin e shfrytëzimit të gjuhës. Zgjedhjet që bëhen gjatë këtij procesi mbështeten në faktin se disa tema, disi, trajtohen “më mirë” në “një gjuhë” se në tjetrën. Fishman thotë se një kod lidhet me një fushë më shumë se kodi tjetër dhe se kjo lidhet edhe nga mosha.
Mirëpo, si mund ta përcaktojmë gjuhën e fshehtë të të rinjve të Prishtinës? Përsëri i thërrasim librat në ndihmë dhe ato na i përkujtojnë katër terma: kanti, slangu, argoja dhe zhargoni. Autorët e ndryshëm mund të kenë nuanca ndryshimesh gjatë përshkrimit të tyre, por shumica pajtohen se këta terma emërtojnë të folme jostandarde, të shfrytëzuara nga grupe të caktuara, kryesisht shoqërore. Këta terma mund të ngatërrohen mes vete dhe ndonjëherë nuk kanë kufij të prerë mes vete. Autorët kryesisht pajtohen se kanti është gjuhë hajnash, slengu – e folme joformale me një përdorim më të gjerë, zhargoni përmban terma teknikë dhe profesionalë dhe i përket një shtrese që pretendon të jetë mbi të tjerët, ndërsa argoja është një rast i zhargonit që ka të bëjë kryesisht me një klasë të gjykuar si më inferiore. Gjuha e Prishtinës, ndonëse në leksikun e saj ka goxha fjalë të terminologjisë së hajnave nuk i përket kantit, sepse është më e gjerë. Me traditën e saj relativisht të re nuk mund të cilësohet as si zhargon, as si argo. Është më e afërt me slengun, ndonëse nuk i përmbush as kriteret e plota për t’u cilësuar si sleng. Slengu nuk është sekret. Gjuhët sekrete dhe gjuhët e krijuara në bazë të lojërave me fjalë nuk janë të panjohura në botë. Sipas Fromkin et al (2003), këto shfrytëzohen ja si mjet për t’u identifikuar si grup i posaçëm, ja për qejf, si puna e elfishtes në trilogjinë “Zoti i Unazave”, ja për t’i penguar të tjerët të marrin vesh se çka po flitet.
Gjuha e fshehtë e të rinjve të Prishtinës, përfshin një grup të caktuar shoqëror që dallohet nga të tjerët bazuar në një gjuhë të tillë, sekrete, të mbështetur në lojë fjalësh. Kjo gjuhë ka një fond të varfër fjalësh – gjatë këtij hulumtimi janë identifikuar 243 sosh - por të mjaftueshëm për të qenë i dalluar dhe i pakuptueshëm nga ata që nuk dëshiron të të kuptojnë. Sintaksa, siç është e zakonshme për gjuhën e tilla, mbetet po ajo e idiolektit të folësit. Fjalët krijohen me metateza, duke i kthyer mbrapshtë fjalët, duke i zëvendësuar rrokjet dhe duke krijuar variacione të ngjashme me këtë gjedhe. Po e zëmë, personazhet e “Familjes Moderne” pohojnë duke thënë: Op, në vend të po, thonë: U llaka, për u kalla etj. Ose thuhet ragica, për cigare, leqi, për qeli, por edhe shapintozin, për “Pasha Zotin”. Të folme të këtilla ka edhe në gjuhë të tjera dhe përdorimet e gjuhëve sekrete mund të realizohen në mënyra të ndryshme. Prindërit mund të flasin një gjuhë të dytë, kur nuk dëshirojnë të kuptohen nga fëmijët e tyre. Skllavët në Amerikë kanë krijuar një kod të vetin, për të mos u kuptuar nga pronarët e tyre. Një gjuhë e tillë është edhe e ashtuquajtura “cockney” në Angli. Në këtë gjuhë, ose më mirë të thuhet lojë fjalësh, për një fjalë specifike krijohet një çift fjalësh që krijojnë rimë me fjalën e caktuar. Po e zëmë për shkallët (stairs) përdoret apple and pears (mollë e dardha). Në anglishte ekziston edhe një e folme, e quajtur Pig Latin. Në këtë të folme, tingulli i parë i fjalës vëhet në fund dhe në fund të fjalës pastaj shtohet një EJ. Pra, pig (derr) bëhet igpej. Në gjuhën e bengalëve (Fromkin et al, 2003), është një lojë e ngjashme me këtë të shqipes. Në këtë “lojë”, tingujt ndërrojnë vend dhe bisri (i shëmtuar) shqiptohet sibri. Mirëpo, një gjuhë e tillë, më e ngjashme dhe më e afërt është e ashtuquajtura shatrovaçki, gjuhë e fshehtë e krijuar në Sarajevë që më pas ka shërbyer si lingua franka e rokerëve dhe e të rinjve urbanë në ish-Jugosllavi. Ka mundësi që shatrovaçki të ketë pasur një lloj ndikimi në krijimin e gjuhës së fshehtë të të rinjve të Prishtinës, duke shërbyer si gjedhe. Sa i përket vetë shqipes, të folme të ngjashme, si gjuhë sekrete, janë përmendur nga Haxhihasani më 1964(b), duke e paraqitur letrën e një studente në Shqipëri dërguar shoqes së saj.
Për studimin e gjuhës së fshehtë të të rinjve të Prishtinës, ka qenë i nevojshëm një hulumtim sociolinguistik. Hulumtimi është mbështetur në “Teknikat e terrenit gjatë një studimi të gjuhës urbane”, të vitit 1968, teknika me të cilat është bërë hulumtimi i gjuhës së Detroitit në SHBA. Për shkak të karakteristikave të gjuhës së fshehtë të Prishtinës, është bërë një anketë që e ka përfshirë vetëm pjesën sociologjike dhe jo gjuhësore. Anketa ka pasur 33 pyetje që kanë të bëjnë me të anketuarin, i cili paraprakisht kishte pohuar se është i njohur me të folmen e fshehtë. Në mesin e pytjeve ishin emri i të anketuarit, vendi i lindjes, mosha, gjinia, vendi ku është rritur, shkolla që ka mbaruar, lagjja ku jeton, suksesi në shkollë, situatat kur e flet këtë gjuhë, ndërsa pas anketës është bërë një intervistë gjuhësore me të anketuarit, prej së cilës është nxjerrë fondi i fjalëve që përdoren në këtë gjuhë. Pas intervistimit nuk ka pasur transkriptim fonetik. Gjuha shqipe e ka shkrimin fonetik, ndërsa variantet, edhe ashtu, nuk janë të rëndësishme për këtë gjuhë. Të anketuarit kanë qenë kryesisht meshkuj, të moshave të ndryshme, deri 60-vjeçarë, të profesioneve të ndryshme, të shtresave të ndryshme shoqërore dhe të vendbanimeve të ndryshme brenda Prishtinës.
Si edhe komunikimi në përgjithësi, edhe gjuhët e fshehta janë proces. Ky proces përfshin krijimin dhe shfrytëzimin e termave, të leksikut dhe të sistemit në përgjithësi. Shprehjet e gjuhëve sekrete krijohen nga të njëjtat procese që ndikojnë edhe në të folurën e zakonshme. Gjuhët e tilla burojnë nga subkulturat brenda shoqërisë dhe fjalët e krijuara i pasqyrojnë qëndrimet dhe idetë e anëtarëve të këtij grupi të caktuar. Në Prishtinë ka pasur tentime më herët për të krijuar komunikim sekret dhe një prej mënyrave të tilla ka qenë komunikimi, në të cilin pas çdo rrokje është shtuar rrokja ci. Po e zëmë eja është shndërruar në ecijaci. Mirëpo, ky komunikim nuk ka pasur shumë përhapje dhe ndikim, siduket, për shkak se është e zorshme për t’u folur dhe e zorshme për t’u kuptuar edhe nga vetë ata që e përdorin. Bazuar në intervistat e bëra gjatë hulumtimit, fjalët e para të krijuara të gjuhës së fshehtë të të rinjve të Prishtinës u përkasin viteve shtatëdhjetë, më saktësisht, pjesës së dytë të viteve shtatëdhjetë. Janë tri momente të rëndësishme që kanë të bëjnë me këto vite: Së pari, ishte koha kur tashmë ishte bërë njësimi i gjuhës letrare dhe folësit në Prishtinë, si në mbarë Kosovën, pasi e kishin mësuar në shkolla gegërishten letrare, kishin nisur të provonin të flisnin me variantin letrar, jo gjithmonë me shkathtësi. Së dyti, ishte periudha kur shatrovaçki “kishte hyrë në mode” në ish-RSFJ. Së treti, ishte koha, kur pas zhvillimit të Universitetit të Prishtinës, qyteti si qendër universitare u bë vatër e re e të rinjve që vinin nga vise të ndryshme të Kosovës dhe vise të tjera të shtetit të dikurshëm të Jugosllavisë. Fjalët e para të krijuara ishin, u tha edhe më herët, fjalë që i përkasin nëntokës, terma krimi, po e zëmë: cilimi (milici), luketa (kuleta), jomshe (mshoj – term që ka kuptimin vjedhe, prej mëshoj), rapet (paret), luketa (kuleta – portofoli). Me kohën janë krijuar edhe terma të rinj si dhe ndryshime të fjalëve. Po e zëmë, fjala mëshoj në kuptimin figurativ vjedh, fillimisht është bërë jomsh, pastaj është shndërruar në shmoj dhe pastaj në tomsh. Në mesin e të anketuarve, gjenden që të tri variantet dhe shumica e të anketuarve i njohin dhe i përdorin që të tria. Janë disa sqarime teorike rreth kësaj. Një, mund të jetë se, siç përkujtojnë sociologët, krijimi i formave sekrete nuk është proces i standardizuar dhe në kohë të njëjtë, në vise të ndryshme, mund të jenë përdorur dy-tri trajta të së njëjtës fjalë, varësisht nga “krijuesi”. Dy, mund të jetë se fjalët kanë nisur ta humbin sekretësinë e tyre dhe të ketë pasur nevojë për një formë të re, më sekrete. Tre, siç përkujton Hudsoni, për të rinjtë është thelbësore që të identifikohen nga ish-të rinjtë. Pra, brezi i ri dëshiron që të lë trashëgim një krijim të vetin, i cili ka ndryshim nga një brez më parë. Kjo ka bërë që sot numri i folësve të gjuhës së fshehtë në mesin e të rinjve të jetë shumë më i vogël se para dhjetë ose njëzet vjetësh. Tinejxherët e intervistuar thonë se përdorin komunikime të tjera dhe se për ta gjuha sekrete e Prishtinës më “nuk është cool!” Të pyetur se përse e përdorin gjuhën e fshehtë të të rinjve të Prishtinës, të anketuarit japin përgjigje të ndryshme. Disa thonë se e përdorin kur nuk dëshirojnë të jenë të kuptuar nga të tjerët (nga pleqtë dhe grupet e tjera shoqërore). Disa thonë se e përdorin si punë e modës, por përgjigjet më të shpeshta janë se është punë qejfi: se është lojë fjalësh dhe si e tillë është edhe zbavitëse. Fishman (1971) vlerëson se folësit e një gjuhe “krijojnë shprehi” që kur të flasin për filan teme, ta shfrytëzojnë filan kodi dhe kjo për disa arsye.
Bazuar në intervistat e bëra, është mbledhur një fond i caktuar fjalësh. Janë 243 fjalë që mjaftojnë për një komunikim të fshehtë. Kryesisht janë fjalë të rrugës. Ka shumë shprehje të krimit, shprehje të vardisjes dhe të komunikimit mes gjinive të ndryshme (e thupa, ia pyla, llica, tygjyrymi), pastaj shprehje përqeshëse, sepse është e lehtë ta përqeshësh dikend që nuk të kupton: lladupi, redepi, ikyqi etj. Nja 30 fjalë janë sharje të drejtpërdrejta, fjalë që kryesisht konsiderohen “të ndyra” e që dikush ka kujtuar se është marre të jenë të shënuara në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe. Në këtë gjuhë nuk janë gjetur fjalë që kanë të bëjnë me narkomaninë, ndryshe nga slengu i tinejxherëve, të cilët përmendin fjalë si: bari, hyj në trip, të bardhë etj. Si krijohen fjalët e kësaj gjuhe të fshehtë? - Një mënyrë është shqiptimi mbrapsht i fjalës dhe kjo kryesisht te fjalët njërrokëshe – pjesë të pandryshueshme të ligjëratës: esp (pse), op (po); - Mund të krijohen duke e shqiptuar rrënjën e fjalës mbrapshtë dhe duke e mbajtur të njëjtë nyjën; cilim-i (milic-i), ose edhe duke e ndryshuar atë: lladup-i (budalla, në të folmen e Prishtinës kryesisht shqiptohet budallë e jo budalla). - Mund të krijohen me metatezë të zakonshme: luketa – kuleta - Ka raste të ndërrimi të vendeve të rrokjeve, por edhe të ndryshimit të ndonjë tingulli: tamuxhi – maxhupi. - Ose ka edhe raste të çoroditjeve krejt të pazakonshme, po e zëmë: Shapintozin, për Pasha Zotin. Këto të fundit, sipas intervistave, janë krijime, kryesisht, më të reja. Përdorim shumë i zakonshëm, është përdorimi i togfjalëshave ose i frazave të tëra që thuase janë idiomizuar: Ta ka yth, e kom llak, som se snob, riçke rome itaçi, som u leç;
Pas intervistës me personat që e njohin këtë gjuhë, në një intervistë të bërë me studentë të UP-së, del se pjesa më e madhe e studentëve joprishtinas të vitit të parë nuk dinë gjë për këtë të folme. Mirëpo, disa studentë të viteve më të larta, kanë dëgjuar për të dhe, madje, disa edhe i dinë disa fjalë. Gjuha e fshehtë e të rinjve të Prishtinës ka nisur ta humbasë sekretësinë e saj dhe në rrethanat e reja shoqërore në Prishtinë, edhe mund ta humbasë nevojën për t’u përdorur. Këngë të “Minatorit” janë përplot fjalë nga kjo gjuhë, ndërsa personazhet e “Familjes Moderne” janë qesharakë edhe për shikuesit jashtë Prishtinës. Ç’ndodh zakonisht me një gjuhë që më nuk është sekrete? Në literaturën sociolinguistike mund të gjenden disa sqarime. Nëse subkultura ka më shumë kontakt me kulturën, në rastin tonë me gjuhën standarde, ajo nis të bëhet pjesë e saj. Ose, siç ndodh shpesh me gjuhët e tilla, fjalët i kanë jetëshkurtra dhe zhduken fare. Kjo e dyta është më e mundshme për gjuhën e fshehtë të të rinjve të Prishtinës.
Bibliografia:
- Richard Hudson, “Sociolinguistika”, Dituria, Tiranë 2002 - J. A. Fishman, “The Relationship between Micro- and Macro-Sociolinguistics in the Study of Who Speaks What Language to Whom and When”, Sociolinguistics, Penguin Books, 1979 - V. Fromkin, R. Rodman, N. Hyams, “An Introduction to Language”, Heinle, Boston 2003 - Rexhep Ismajli, “Shqipja standarde pas tri dekadash”, Seminari Ndërkombetar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (21), Prishtinë, 2003 - Marjana Ymeri, “Ligjërimi rinor i studentëve të viteve ’90…”, Seminari XVIII, Tiranë, 1996 - Qemal Haxhihasani, “Të folmet shoqnore”, Studime filologjike 1, Tiranë, 1964 - Qemal Haxhihasani, “Dogançja: E folmja shoqnore e zejtarëve shëtitës të rrethit të Përmetit dhe të Leskovikut”, Studime filologjike 2, Tiranë 1964 - R. Shuy, W. Wolfram, W. Riley, “Field Techniques in an Urban Language Study”, Washington, 1968 - J. Dunn, “The beginnings of social undertanding”, Oxford, 1988 - B. B. Brown, “The peer Group and Peer Cultures”, Cambridge, 1990 - Mary Bucholtz, “Word up: Social Meanings of Slang in Californian Youth Culture”, Language and Culture Symposyum 8, 2001 |