Stefan Karastojanov. KOSOVA- NJË ANALIZË GJEOPOLITIKE
Autor: Mehmet Latifi
Botuar në: Gazeta LAJM, Strugë, 31 tetor
Libri u prezantua në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë më 22.11.2007
 
 
Ky libër nga autori bullgar Stefan Karastojanov, përkthyer nga Diljana
Karaivanova dhe Eris Karagjozi, hedh poshtë të gjitha pretendimet e Serbisë për
Kosovën, si “djep i shenjtë i Serbisë”, duke mohuar të drejtën e Serbisë ndaj
Kosovës dhe duke  argumentuar me faktografi historike etj, që në momentin e
pikërishëm që gjindet Kosova, para statusit përfundimtar, hedh mjaft dritë në
pretendimet okupatoriale serbe. Libri në veçanti e ka vlerën dhe peshën e
vlerësimit të këtillë me fakte të pamohueshme për Pavarësinë e Kosovës, sepse
është shkruar nga dora e një studjuesi të mirfilltë joshqiptar, pra studjuesi
dhe autori bullgar.
        Studjuesi bullgar Karastojanov, në këtë vepër i qaset problemit të
Kosovës, nga optika gjeopolitike, ndërkohë që trajtimi  i problematikës  në këtë
libër reflekton një repertory të gjërë referencash, kryesisht bullgare-sllave,
të cilat autori i zotëron dhe më pas i interpreton mbi platformën e tij
studimore. Që në parathënie të recensentit Prof. Dr. Georgi Bakallov, shprehet
se: “Disa e quajnë Kosovën “plaga e hapur e Ballkanit” dhe konkludon se kjo
është shumë e vërtetë. Problemet në këtë rajon kryengritës i kanë fillimet shumë
përpara ngjarjeve rreth shpërbërjes së Jugosllavisë në vitët ’90 të shekullit të
kaluar, fakt i cili e bën spjegimin e tij shkencor dhe kuptimplotë te hapur e më
se te vertete.
Profesor Karstojanov, si një qëmtues i durueshëm, i prek me një intelegjencë
faktet, i përzgjedh dhe më pas po me atë durim shkencor mbron interpretimin e
tij. Ai në punimin e tij zbret thellë në faktografinë historike, që nga
antikiteti, mesjeta e hershme dhe e zhvilluar, si në periudhën e sundimit osman
(shek. XV-deri 1912) si dhe në vitet në mes dy luftërave botërore (1918-1945),
dhe prej andej nxjerr momente të cilat përforcojnë interpretimin e tij,
platformën e studimit gjeopolitik mbi Kosovën. Zbirimi  i tij gjeopolitik lëshon
spirancën në lashtësinë e Kosovës, përvijimin nëpër shekuj, por edhe në vizionin
e tij mbi të ardhmen e sajë.
        Libri i Prof. Dr. Stefan Karastojanov, është plot fakte dhe ngjarje, dhe
është i ndarë në disa kaptina, të cilat përfshinë ekzistencën dhe raportin e
rajonit të Kosovës në periudha të ndryshme kohore. Përqëndrimi i një faktologjie
kaq voluminoze, bashkë me përcaktimet e bëra terminologjike, gjeografike dhe
gjeopolitike, e bëjnë këtë libër një manual të dobishëm mësimi për studentë,
politikologë, gjeografë, historianë, europianistë dhe juristë. Me këtë qëllim,
autori i monografisë, Stefan Karastojanov,-paraqet një tekst me një gjuhë të
rrjedhshme, të kuptueshmë dhe të përhapur, gjuhë e cila e zgjëron rrethin e
lexuesve dhe jep përgjigje të plota për njërin nga problemet politike më aktuale
të Ballkanit të sotëm, pra jep përgjigjen e duhur për cështjen e Kosovës.
Me botimin e monografisë të këtij autori të nderuar e respektuar bullgar, Prof.
Dr. Stefan Karastojanov, “Kosova- një analizë gjeopolitike”, Shtëpia Botuese
“Serembe”, e konsoliduar në edicionet e saja, për lexuesin shqiptar ka sjellur
një libër që u ka munguar bibliotekave tona, një analizë të thellë dhe të
gjithanshme mbi Kosovën. Ky libër vjen në dyuart e lexuesit shqiptar, falë
ambasadorit të Shqipërisë në Bullgari, Bujar Skëndo dhe përpjekjeve maksimale të
shkrimtarit dhe publicistit Resul Shabani së bashku me Shtëpinë Botuese
“Serembe”.